Lajme

Osmani dhe Begaj bëjnë homazhe për Papa Françeskun në Vatikan, së bashku me Kardinalin Simoni dhe prijësit fetarë shqiptarë

Osmani dhe Begaj në Vatikan për homazhe ndaj Papa Françeskut

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, po qëndrojnë në Vatikan ku po marrin pjesë në homazhet për Papa Françeskun, i cili ndërroi jetë të hënën në moshën 88-vjeçare. Ceremonia e varrimit pritet të mbahet nesër.

Gjatë vizitës në Bazilikën “Shën Pjetri”, Osmani dhe Begaj u bashkuan me përfaqësues të lartë të komuniteteve fetare shqiptare, përfshirë Kardinalin shqiptar Ernest Simoni, Kryetarin e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë Bujar Spahiu, Kryegjyshin Botëror të Bektashinjve Haxhi Dede Edmond Brahimaj, Kreun e Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare Joan Pelushi dhe Arqipeshkvin e Kishës Katolike, Arjan Dodaj.

“Sot, në Vatikan, së bashku me Presidentin Begaj dhe përfaqësuesit fetarë shqiptarë, bëmë homazhe për Shenjtërinë e Tij, Papa Françeskun, për të shprehur respektin e qytetarëve tanë ndaj përkushtimit të tij për paqe, harmoni dhe dinjitet njerëzor”, shkroi Osmani në rrjete sociale.

Edhe Presidenti Begaj theksoi rëndësinë e trashëgimisë shpirtërore që la pas Papa Françesku, duke përmendur përkushtimin e tij ndaj drejtësisë, solidaritetit dhe paqes.