Rezultatet përfundimtare nga KQZ: Vetëvendosja mbetet kryesuese
Pas një jave ndalimi në përditësimet, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka publikuar sot, në orën 09:46, rezultatet përfundimtare nga numërimi i të gjitha votave në nivel vendi. Ndryshimet në rezultatet janë minimale, por kanë sjellë disa rregullime në numrin e votave për partitë kryesore.
Rezultatet përfundimtare:
- Lëvizja Vetëvendosje (LVV) mbetet parti kryesuese me 342,281 vota, që përfaqëson 40.80% të votave totale. Krahasuar me përditësimin e mëparshëm, kur kishin mbetur shtatë vendvotime pa procesuar, LVV ka fituar 609 vota shtesë.
- Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka marrë 184,811 vota, që përbën 22.03% të votave. Kjo paraqet një rritje prej 312 votash në krahasim me përditësimin e 12 shkurtit.
- Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka grumbulluar 147,888 vota, ose 17.63% të votave totale, me një rritje prej 61 votash.
- Koalicioni AAK, Nisma dhe të tjerët ka marrë 62,588 vota, që përbën 7.46% të votave, duke rritur numrin e tyre me 279 vota në krahasim me përditësimin e kaluar.
Përditësimi i fundit i rezultateve vjen pas një jave pa ndryshime në faqen zyrtare të KQZ-së, duke mbyllur kështu procesin e numërimit të votave për zgjedhjet e fundit.
