Kurti 120 mijë vota më pak se partia, Hamza mbi 135 mijë, Abdixhiku 95 mijë – sa u votuan liderët?
Në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, Albin Kurti, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), ka marrë rreth 120 mijë vota më pak se partia e tij. Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kurti ka marrë 222,382 vota, ndërsa LVV-ja ka arritur 341,672 vota. Kjo tregon një diferencë prej 119,290 votash.
Kurti nuk ka arritur të kapë numrin e votave të Vjosa Osmanit në zgjedhjet e 2021, e cila mbetet personi më i votuar në historinë e Kosovës me 300,756 vota.
Nga ana tjetër, Bedri Hamza, kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për kryeministër, ka marrë 135,667 vota, afër 49 mijë më pak se partia e tij, e cila ka arritur 184,499 vota. Në zgjedhjet e 2021, Hamza kishte marrë 23,976 vota.
Lumir Abdixhiku, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ka marrë 94,778 vota, rreth 53 mijë më pak se partia e tij, e cila ka 147,827 vota. Në zgjedhjet e 2021, Abdixhiku kishte marrë 25,267 vota.
Memli Krasniqi, kryetari i PDK-së, ka marrë 77,341 vota, një rritje e konsiderueshme ndaj zgjedhjeve të 2021, kur kishte marrë 15,912 vota.
Ndërkohë, Ramush Haradinaj, kandidati i koalicionit AAK-Nisma, ka marrë 34,240 vota, pak më pak se në zgjedhjet e 2021, kur kishte arritur 41,371 vota.