AGK dënon kërcënimin ndaj ekipit të T7 dhe mungesën e reagimit nga KQZ
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka shprehur shqetësimin e tij lidhur me kërcënimet dhe pengesat ndaj ekipit të Televizionit T7 gjatë raportimit në Pejë, shkruan Gazeta Express.
AGK e cilëson këtë akt si një sulm të papranueshëm ndaj lirisë së medias dhe punës së gazetarëve, duke theksuar se gazetarët kanë për detyrë të informojnë publikun mbi proceset zgjedhore.
Veçanërisht shqetësues për AGK-në është fakti që incidenti ndodhi në prani të kryesuesit të KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, i cili nuk ndërhyri për të parandaluar situatën.
Reagimi i plotë i AGK-së:
Ekipi i T7 kërcënohet në Pejë gjatë raportimit në Qendrën e Numërimit të Votave
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka pranuar me shqetësim informacionin se ekipi i Televizionit T7 është penguar nga menaxheri i Qendrës së Numërimit të Votave në Pejë, Abdurrahim Haxhisefa. Sipas burimeve, gazetarja Arianitë Zhegrova dhe kameramani Gjens Karaqi janë ndaluar nga kryerja e detyrës së tyre dhe madje janë kërcënuar edhe me thyerje të kamerës.
Ky veprim përbën një shkelje të rëndë të lirisë së medias dhe një tentativë për të penguar transparencën e procesit zgjedhor.
AGK veçanërisht shpreh shqetësim për faktin që incidenti ndodhi në prani të kryesuesit të KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, pa ndonjë reagim apo ndërhyrje nga ana e tij.
AGK i bën thirrje Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që të ndërmarrë masa ndaj personave përgjegjës dhe të sigurojë një ambient të sigurt për gazetarët gjatë mbulimit të proceseve zgjedhore.