Valmir Elezi, zëdhënës i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), ka informuar se deri më tani janë vlerësuar 28 mijë e 99 pako nga votimi me postë jashtë Kosovës, nga të cilat 2 mijë e 57 janë refuzuar.
Elezi theksoi se procesi i vlerësimit të pakove me fletëvotime nga votimi i diasporës vazhdon që nga data 9 shkurt. Nga 28 mijë e 99 pako të vlerësuara, 26 mijë e 13 janë aprovuar, ndërsa 2 mijë e 57 janë refuzuar për arsye të ndryshme.
“Pako janë refuzuar sepse janë dërguar nga persona që janë anuluar gjatë regjistrimit si votues jashtë Kosovës, u mungon dëftesa e regjistrimit, ose janë dërguar më shumë se një herë,” shpjegoi Elezi.
Ai shtoi se KQZ ka pranuar gjithsej 69 mijë pako me fletëvotime nga votimi me postë, dhe numri përfundimtar i pakove të pranueshme për numërim do të dihet pas përfundimit të procesit të vlerësimit.