Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përditësuar të dhënat mbi numërimin e deritanishëm të votave.
Sipas përditësimit të fundit, të publikuar sot në orën 11:54, Lëvizja Vetëvendosje ka marrë 340,690 vota, që përbën 40.87% të totalit, me 99.57% të vendvotimeve të procesuara. Krahasuar me përditësimin e mëparshëm të së martës, ku kishte 340,541 vota (40.86%), kjo parti ka fituar 149 vota më shumë.
Partia Demokratike e Kosovës ka mbetur në të njëjtin nivel me 183,661 vota (22.03%), pa asnjë ndryshim nga përditësimi i fundit të së martës në orën 18:32.
E njëjta situatë vlen edhe për Lidhjen Demokratike të Kosovës, e cila vazhdon të ketë 146,815 vota (17.61%), njësoj si dje.
Ndërkohë, koalicioni AAK-Nisma-Lista Konservatore-Forumi Intelektual E-30 ka arritur në 62,172 vota (7.46%), duke fituar 61 vota më shumë nga përditësimi i mëparshëm, ku kishte 62,111 vota (7.45%).
Pas përfundimit të numërimit të votave të rregullta, do të nisë numërimi i votave me postë dhe atyre me kusht.
Sipas rezultateve pothuajse përfundimtare, Eugen Cakolli nga koalicioni i organizatave joqeveritare “Demokracia në Veprim” ka parashikuar shpërndarjen e mandateve për partitë shqiptare si më poshtë:
- LVV – 47 deputetë
- PDK – 25 deputetë
- LDK – 20 deputetë
- AAK – 8 deputetë