Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka deklaruar se Lidhja Demokratike e Kosovës gjithmonë ka pasur një strukturë të organizuar dhe një kulturë politike të konsoliduar, e cila solli Lumir Abdixhikun në krye të partisë.
Në një postim në Facebook, Haziri theksoi se Abdixhiku po ruan këtë rend dhe se LDK ka zhvilluar një parafushatë të jashtëzakonshme, duke vendosur një standard të ri në politikë gjatë ditës së zgjedhjeve.
“LDK gjithmonë ka pasur rend dhe kulturë politike. Ky rend e solli Lumir Abdixhikun në krye të partisë, dhe ai po e mban atë me përgjegjësi. Gjatë këtij procesi, LDK organizoi një parafushatë të jashtëzakonshme dhe një fushatë shembull, duke vendosur një standard të ri në skenën politike,” tha Haziri.
Ai shtoi se LDK mbetet një faktor kyç në zhvillimet politike të vendit dhe se asnjë proces i rëndësishëm nuk mund të ndodhë pa të.
Duke respektuar vullnetin qytetar, Haziri tha se tani është koha që Abdixhiku ta udhëheqë partinë në fazën paszgjedhore.
“LDK respekton vullnetin qytetar dhe në mënyrë të përgjegjshme e pret kryetarin e saj që të na udhëheqë në pjesën e tretë të procesit – atë paszgjedhor. Koha për durim!” përfundoi ai.