Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, deklaroi se zëvendësi i tij, Ivan Stoilkoviq, i cili e cilëson Kosovën si “djep të Serbisë,” kishte një dëshirë të madhe për të qenë sot në Prishtinë për mbledhjen e përbashkët të qeverive.
“Anëtari i Qeverisë, z. Stoilkoviq, digjej nga dëshira për të qenë këtu me ne në Prishtinë,” tha Mickoski gjatë një konference të përbashkët me kryeministrin Albin Kurti. Ai shpjegoi se Stoilkoviq nuk kishte mundur të merrte pjesë për shkak të obligimeve të tjera dhe se zëvendësministri Nexhdet Mustafa e kishte përfaqësuar qeverinë në diskutimet me homologët kosovarë.
Gazetari i T7, Çlirimtar Morina, e pyeti Mickoskin për qëndrimet e Stoilkoviq, i cili shpesh e quan Kosovën “Kosovë e Metohi” dhe shtetin “djep të Serbisë.” Ai gjithashtu përmendi pjesëmarrjen e Stoilkoviq në Konferencën e Sigurisë në Moskë më 25 maj 2023 dhe e pyeti kryeministrin nëse kishte diskutuar me të për të sqaruar realitetin e Kosovës.
Në përgjigjen e tij, Mickoski theksoi se Maqedonia e Veriut ka qenë ndër shtetet e para që ka njohur Kosovën dhe qëndrimi i saj është i qartë.
“Maqedonia e Veriut e ka bërë të qartë qëndrimin e saj për Kosovën shumë herët, ndër të parat në botë. Nuk duhet të lejojmë që kjo temë të keqpërdoret. Qëndrimi ynë është i pandryshuar dhe i qartë,” deklaroi ai.