Në një miting elektoral në Pensilvani, ish-presidenti dhe kandidati republikan për president, Donald Trump, lëshoi një paralajmërim të fortë për Bashkimin Evropian (BE) lidhur me tregtinë me Shtetet e Bashkuara. Trump, i cili synon të fitojë zgjedhjet e 5 nëntorit, deklaroi se BE-ja “do të duhet të paguajë një çmim të madh” nëse nuk blen më shumë produkte amerikane.
“Do t’ju them një gjë, Bashkimi Evropian tingëllon aq bukur, aq i këndshëm, apo jo? Të gjitha ato vende të vogla evropiane të bukura që mblidhen së bashku,” tha Trump gjatë një tubimi në shtetin kyç të Pensilvanisë. Ai shtoi se në rast fitoreje, do të miratojë një ligj të ri të quajtur “Aktin e Tregtisë Reciproke Trump.”
Trump ka premtuar se do të vendosë një tarifë prej 10% për importet nga të gjitha vendet, dhe një taksë prej 60% për importet nga Kina. Ekonomistët kanë paralajmëruar se këto masa mund të kenë një ndikim të madh në zinxhirët e furnizimit global, të shkaktojnë hakmarrje nga partnerët tregtarë dhe të rrisin kostot për konsumatorët.
Sipas Trump, BE-ja është një nga partnerët kryesorë të tregtisë që nuk blen mjaftueshëm produkte amerikane. “Ata nuk marrin makinat tona. Ata nuk marrin produktet tona bujqësore. Por, ata shesin miliona e miliona makina në Shtetet e Bashkuara. Jo, jo, ata do të duhet të paguajnë një çmim të madh,” shtoi ai.
(Reuters)