Kryeministri Kurti thekson rëndësinë e ligjit si mjet për parandalimin e abuzimit me buxhetin e shtetit dhe pozitat zyrtare.

Qeveria e Kosovës, gjatë mbledhjes së sotme, ka miratuar Projektligjin e ndryshuar për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme. Ky ligj ka kaluar pas disa përpjekjeve për ta shtyrë zbatimin e tij.
Kryeministri Albin Kurti, duke folur në mbledhje, theksoi se pavarësisht përpjekjeve për zvarritje, ky ligj do të realizohet. Sipas tij, byroja do të ketë një rol të rëndësishëm në ruajtjen e pasurisë publike dhe kthimin e asaj që është fituar në mënyrë të kundërligjshme.
“Pavarësisht tendencave për zvarritje të jetësimit të këtij ligji të rëndësishëm, byroja do të bëhet realitet. Jetësimi i konceptit të konfiskimit civil, si zotim i yni, përveç se do ta ruajë pasurinë publike, do t’ia kthejë shtetit atë që është përfituar në mënyrë të paligjshme,” deklaroi Kurti.
Ai shtoi gjithashtu se funksionimi i kësaj byroje do të ndihmojë në parandalimin e abuzimeve të mëtejshme me buxhetin dhe pozitat zyrtare në të ardhmen, duke garantuar një qeverisje më të drejtë dhe transparente.
Sign in to your account