Paga minimale e re prej 350 euro bruto në muaj do të përfitojë mbi 150 mijë të punësuar, duke unifikuar pagën për të gjitha grupmoshat.
Qeveria e Kosovës ka miratuar sot vendimin për rritjen e pagës minimale, një hap që vjen pas 13 vjetësh pa ndryshime. Kryeministri Albin Kurti deklaroi se vendimi unifikon pagën minimale për të gjitha grupmoshat, duke eliminuar çdo formë diskriminimi.
“Niveli i ri i pagës minimale do të jetë dy euro për orë pune të rregullt, ose 350 euro bruto në muaj për punë me orar të plotë. Kjo pagë minimale e re do të prekë mbi 150 mijë të punësuar që aktualisht marrin paga më të ulëta se 350 euro në muaj,” tha Kurti gjatë mbledhjes së qeverisë.
Kryeministri shtoi se ky është një tjetër hap në serinë e masave që qeveria ka ndërmarrë për të përmirësuar mirëqenien e qytetarëve të Kosovës.