Gjatë takimeve me zyrtarë ndërkombëtarë, Kurti thekson mbështetjen për paqe dhe siguri, duke nënvizuar rëndësinë e lirisë së lëvizjes në Kosovë dhe BE
Në një seri komentesh lidhur me vizitat e fundit dhe ato që priten në ditët e ardhshme, Kryeministri Albin Kurti ka adresuar edhe situatën e hapjes së Urës së Ibrit.
Ditë më parë, shefi i CIA-s, William Burns, ishte për vizitë në Kosovë. Ndërsa nesër pritet të vijë Thomas Goffus, ndihmës-sekretar i Përgjithshëm për Operacionet e NATO-s. Gjithashtu, sot ka qenë në vizitë një delegacion danez i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, dhe javën e ardhshme priten dy ministra të Jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s.
“Mbështetja e tyre është e palëkundur, bashkëpunimi i gjerë dhe i fuqishëm, kurse përkushtimi i përbashkët është serioz dhe produktiv në shërbim të paqes dhe sigurisë, të cilat ecin paralelisht me sundimin e rendit dhe ligjit, si dhe progresin demokratik dhe ekonomik,” u shpreh Kurti.
Ai theksoi se në të gjitha këto takime është diskutuar edhe çështja e hapjes së urës qendrore mbi lumin Ibër në Mitrovicë. Sipas tij, janë duke u bërë të gjitha konsultimet e nevojshme, përfshirë trajtimin e draftit preliminar për qëndrueshmërinë fizike të urës, në pritje të raportit final, dhe përgatitjet për rregullimin e pamjes dhe pastrimin e mjedisit rreth saj.
“Hapja e urës është liri e lëvizjes, dhe liria e lëvizjes është një e drejtë themelore si në Republikën e Kosovës, ashtu edhe në Bashkimin Evropian,” përfundoi Kurti gjatë mbledhjes së sotme të qeverisë, raportoi odeonshow.com.