Mjeku Vasil Llajo, në një intervistë për A2 CNN, ka ndarë detaje mbi situatën e krijuar nga virusi i “Etheve të Nilit Perëndimor” në Shqipëri, ku deri tani janë regjistruar tre humbje jete dhe 17 të prekur. Llajo përjashtoi mundësinë e një epidemie në vend, duke theksuar se po merren të gjitha masat e nevojshme për të shmangur përhapjen e virusit, raporton Klankosova.tv.
“Natyra ka ciklet e saj, siç kemi parë me COVID dhe gripin. Tani është radha e Etheve të Nilit për të bërë shtrirjen e tyre në Ballkan, por nuk ka vend për panik. Masat që po merren do të frenojnë këtë infeksion viral. Ethet e Nilit nuk transmetohen nga njeriu tek njeriu, por vetëm nga mushkonjat që kanë pickuar zogjtë e egër të infektuar me këtë virus. Nuk besoj se do të shndërrohet në një epidemi, pasi nga momenti që është dhënë alarmi, kanë filluar të merren të gjitha masat e nevojshme, dhe kështu reduktohet mundësia për përhapjen e tij,” tha Llajo.
Ai shpjegoi gjithashtu simptomat që shfaqen pas infektimit përmes pickimit nga mushkonjat, duke theksuar se 80% e të prekurve janë asimptomatikë. “Nuk duhet të alarmohemi sa herë që na pickon një mushkonjë, por duhet të jemi më vigjilentë për shkak të rritjes së rasteve. Shenjat e para janë të ngjashme me një virozë që fillon me temperaturë, dhimbje koke, ndjenjë të vjellë, dobësi muskulore, dhe kështu progreson. 80% e rasteve janë asimptomatikë, dhe 20% shfaqin simptoma. Më pak se 1% e të prekurve përjetojnë forma të rënda që rrezikojnë jetën. Ata që janë më të prekur janë të sëmurët me sëmundje sekondare,” shtoi ai.