Deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka ngritur shqetësime mbi rritjen e presionit nga Beogradi zyrtar ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës, pas paralajmërimit për protestën “Për Identitet e Dinjitet” që pritet të mbahet të hënën e javës së ardhshme.
Përmes një postimi në Facebook, Kamberi denoncoi se shqiptarët në Bujanoc dhe Vranjë po përballen me presione dhe intimidime nga Policia dhe organet ligj-zbatuese serbe. Ai bëri të ditur se një qytetar është arrestuar për shkak të një komenti të bërë në Facebook lidhur me protestën, të postuar në faqen e një portali lokal. Ky qytetar u arrestua nën dyshimin për “Nxitje të urrejtjes ndërnacionale”, dhe rasti i tij është dorëzuar në prokurorinë e Vranjës.
Kamberi gjithashtu kritikoi selektivitetin në zbatimin e ligjit nga organet e rendit në Serbi, duke theksuar se komentet dhe qëndrimet antishqiptare janë bërë përditshmëri në mediat dhe diskursin publik të Serbisë. Ai përmendi edhe vendimin e Gjykatës së Lartë të Beogradit që liroi nga përgjegjësia ministrin serb Aleksandar Vulin, i akuzuar për nxitje të urrejtjes antishqiptare, si një shembull të qasjes diskriminuese ndaj shqiptarëve.
Kamberi paralajmëroi se këto veprime të shtetit serb janë një përpjekje për të frikësuar organizatorët dhe pjesëmarrësit e protestës së paralajmëruar, si dhe për të shpërqendruar vëmendjen nga kërkesat legjitime të shqiptarëve për barazi dhe liri. Megjithatë, ai u shpreh i vendosur se shqiptarët e Luginës do të vazhdojnë të luftojnë për të drejtat e tyre, pavarësisht tentativave për frikësim dhe represion.