Një aeroplan me 62 persona në bord u rrëzua të premten në Vinhedo, Brazil, raportoi stacioni televiziv lokal GloboNews. Brigada e zjarrfikësve të shtetit të Sao Paulos konfirmoi aksidentin në rrjetet sociale, duke bërë të ditur se kanë dërguar shtatë ekuipazhe në vendin e ngjarjes për të ofruar ndihmë.
Sipas Reuters, presidenti brazilian Luiz Inácio Lula da Silva, gjatë një ngjarjeje të premten, komentoi se duket se të gjithë pasagjerët në bordin e aeroplanit mund të kenë humbur jetën.
“Do të doja që të gjithë të ngriheshin për një minutë heshtje, pasi një aeroplan sapo është rrëzuar në qytetin Vinhedo, në Sao Paulo, me 58 pasagjerë dhe 4 anëtarë të ekuipazhit. Duket se të gjithë kanë vdekur,” tha ai në një video të shpërndarë në X (ish-Twitter).