Një 57-vjeçar vdes pas një mosmarrëveshjeje në Lipjan, një tjetër i plagosur rëndë
Një 57-vjeçar ka humbur jetën si pasojë e një mosmarrëveshjeje që ka ndodhur sot mes disa personave në Zllakuqan të Lipjanit.
Rastin e ka konfirmuar për Klankosova.tv zëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
Ajo ka bërë të ditur se, përveç viktimës, një person tjetër ka mbetur i plagosur rëndë nga thika dhe është dërguar për trajtim mjekësor.
“Rreth orës 13:00, policia ka marrë informatën për një vrasje në fshatin Zllakuqan të Lipjanit. Menjëherë pas marrjes së informatës, policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për hetimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen. Bazuar në informacionet e para, janë ngritur dyshimet se një mosmarrëveshje mes disa personave ka rezultuar me plagosjen e rëndë të dy personave, dyshohet me mjet të mprehtë thikë. Njëri nga personat e lënduar ka vdekur, ndërsa i lënduari tjetër është dërguar për trajtim mjekësor. Vdekjen e viktimës, mashkull rreth 57 vjeç, e ka konstatuar ekipi mjekësor në QKMF në Magure,” tha Ahmeti për Klankosova.tv.
Ajo shtoi se aktualisht hetuesit policorë, në koordinim me prokurorinë, po ndërmarrin veprimet hetimore për ndriçimin e plotë të rastit. Ndërkohë, dy persona të dyshuar janë arrestuar.