Drejtori i Kirurgjisë Torakale, Nazmi Kolgeci, ka njoftuar se është kryer operacioni i gruas që u plagos të martën në Fushë Kosovë.
Sipas Kolgecit, gjendja e saj është stabile dhe beson që kjo gjendje do të vazhdojë. Pacientja kishte lëndime në krahun e majtë, kokë dhe bark, por më të rëndat ishin në regjionin e toraksit të majtë.
“Kirurgjia Torakale ka kryer një intervenim kirurgjik që ishte i nevojshëm dhe më pas ajo është transferuar në klinikën tonë për trajtim të mëtejshëm. Gjendja e pacientit për momentin është stabile dhe besoj se kjo gjendje do të vazhdojë,” tha Kolgeci.
“Lëndimet që kishte në krahun e majtë janë më të vogla, por ajo që ishte më e rëndë ishte në regjionin e toraksit të majtë. Nuk besoj që kemi nevojë për intervenime të tjera,” shtoi ai.
Në mëngjesin e djeshëm, burri e ka plagosur gruan e tij, pas së cilës ai është arrestuar nga policia.