Një delegacion nga Presidenca e Kosovës, i dërguar nga Presidentja Vjosa Osmani dhe i kryesuar nga këshilltarët e saj, Dora Musa dhe Bekim Kupina, së bashku me kryetarin e Drenasit, Ramiz Lladrovci, dhe atë të Istogut, Ilir Ferati, ka qëndruar për dy ditë në Hiroshimë të Japonisë për të marrë pjesë në ceremoninë e Ditës Përkujtimore të Paqes të organizuar nga Kryetari i Hiroshimës.
Në ceremoninë e 79-vjetorit të hedhjes së bombës atomike në Hiroshimë morën pjesë mbi 100 përfaqësues nga shtete të ndryshme të botës, ku u theksua rëndësia e ruajtjes së paqes dhe sigurisë globale.
Sipas një njoftimi nga Presidenca, përveç pjesëmarrjes në ceremoninë zyrtare, delegacioni pati mundësinë të takonte nxënës të shkollave të mesme nga Hiroshimi, të cilët kishin përgatitur mesazhe të paqes. Delegacioni kosovar gjithashtu dëgjoi rrëfime të të mbijetuarve të Hiroshimës dhe vizitoi vendin ku ishte hedhur bomba atomike.
Delegacioni nga Kosova, bashkë me përfaqësues të tjerë shtetesh, dërgoi mesazhe paqeje për qytetarët e Hiroshimës, duke uruar që bota të mos përjetojë kurrë më ngjarje të tilla tragjike.
Gjatë ditës së sotme, kryetari i Hiroshimës, Kazumi Matsui, priti në një takim zyrtar delegacionin e Presidencës. Këshilltarët e Presidentes Osmani e informuan Matsuin për iniciativat e Kosovës në ruajtjen dhe promovimin e paqes, duke theksuar veçanërisht angazhimin e Presidentes Osmani në avancimin e Agjendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.
Në takim u diskutua edhe për mundësitë e bashkëpunimit me komunat kosovare, ndërsa kryetari Matsui ftoi kryetarët e Drenasit dhe Istogut që t’i bashkohen Rrjetit global të paqes “Mayors for Peace”.