Një shtetas i Maqedonisë së Veriut është arrestuar në Kosovë të dielën, i dyshuar për prodhimin dhe shpërndarjen e parave të falsifikuara me prerje metalike prej 2 Euro. Në Maqedoninë e Veriut janë kryer kontrolle në tri lokacione, sipas njoftimit të publikuar nga “Kosovarja”.
Gjatë kontrolleve, u sekuestruan makineri për prodhimin e parave të falsifikuara, shabllone parash dhe materiale të tjera për prodhimin e monedhave të falsifikuara, përfshirë lëndën e parë të nevojshme për prodhimin e tyre.
Sipas aktvendimit të prokurorit të rastit nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, shtetasi maqedonas është ndaluar përkohësisht për 48 orë. Brenda këtij afati ligjor, do të parashtrohet kërkesë në gjykatë për caktimin e masës për sigurimin e prezencës së tij në procedurë.