Janë bërë gati 24 orë që Gjykata Speciale ka dënuar me 18 vite burim ish-eprorin e UÇK-së, Pjetër Shala, dhe kryeministrin Albin Kurti nuk e ka thënë asnjë fjalë. Ndonëse dënimi është vlerësuar si shumë i rëndë, ndaj aktgjykimit të Speciale për “Ujkun” e UÇK-së ka heshtur edhe ministrja e Drejtësisë, Albulene Haxhiu.
Rrugën e Kurtit dhe Haxhiut e kanë zgjedhur edhe shumica dërmuese e zyrtarëve të VV-së, të cilët sa kanë qenë në opozitë e kanë kundërshtuar fuqishëm Gjykatën Speciale.
Shumë të pakt kanë qenë zyrtarët e partisw nw pushtet që kanë reaguar ndaj vendimit të Speciales, duke e vlerësuar atë si të padrejtë.
Nder të paktet që ka reaguar është ministri i Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se lufta e UÇK-së ka qenë e pastër.
“Edhe një tjetër padrejtësi e madhe e rradhës ndaj gjithë kombit tonë, dënimi i rëndë e i pamerituar ndaj Pjetër Shalës. Ashtu siç ishim kundër Gjykatës Speciale kur themelimi i saj u propozua në Kuvend atëherë, dhe sot po kuptohet, fatkeqësisht, se kishim plotësisht të drejtë. Qëndrojmë gjithnjë në mbrojtje të luftës çlirimtare, të UÇK-së, të shqiptarëve e të historisë sonë. Lavdi luftës së pastër së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka shkruar Aliu.
Ndër të parat që e ka kundërshtuar aktgjykimin e Speciales ndaj Shalës ka qenë bashkëshortja e Rexhep Selimit, Shqipe Mehmeti-Selimi.
Ajo ka vlerësuar se verdikti i Gjykatës Speciale është politik.
“Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës asnjëherë dhe nga askush nuk mund t’i vihet emër tjetër përveç atij që i dha populli i Kosovës. Pretendimi i Gjykatës Speciale se UÇK-ja është “ndërmarrje e përbashkët kriminale”, është e pa falshme dhe denigruese për popullin e Kosovës. Kjo e dëshmon se kjo gjykatë është politike dhe kundër vlerave tona njerëzore dhe demokratike. Qëndro i fortë Pjetër Shala!”, ka shkruar Mehmeti-Selimi.
Gjykata Speciale dje ka dënuar me 18 vite burgim ish-eprorin e UÇK-së, Pjetër Shalën, nën akuzat për krime të luftës.
Shala është dënuar për tri vepra penale: ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje të paligjshme.
“Z.Shala duke qenë se jeni shpallur fajtor për më shumë se një vepër penale, trupi gjykues ka përcaktuar dënim më vete për secilën vepër penale. Trupi gjykues ka përcaktuar dënimet në vijim: dënim me 6 vjet burg për krimin e luftës së ndalimit arbitrar, dënim me 16 vjet burgim për torturë, dhe dënim me 18 vjet burg për vrasjen e paligjshme. Ju dënon me dënim 18 vjet burg”, ka thënë kryetarja e trupit gjykues në Hagë.
Ky është dënimi i dytë i Speciales për krime lufte. Vitin e kaluar Specialja ka dënuar edhe ish-komandantin e UÇK-së, Sali Mustafa, i njohur si “Cali”.
Në maj të vitit 2022, kjo gjykata ka dënuar edhe krerët e OVL- UÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj. Këta të fundit janë dënuar për pengim dhe administrim të drejtësisë.