Në Strasburg sot zëvendësministrat e Jashtëm të vendeve anëtare janë duke bërë përgatitjet dhe hartimin e agjendës për mbledhjen e ministrave të Jashtëm këtë muaj. Ende nuk dihet saktë nëse Kosova do të futet në agjendë pavarësisht optimizmit që krijoi votimi me shumicë dërrmuese pro anëtarësimit të Kosovës në Asamblenë Parlamentare. Kërkesa e Francës dhe Gjermanisë që të bëhen hapa konkretë drejt themelimit të Asociacionit si kusht për anëtarësim zbehu këtë entuziazëm.
Mbretëria e Bashkuar nuk i kërkoi Kosovës drejtpërdrejt themelimin e Asociacionit që t’i japë mbështetje në mbledhjen e majit, por i rekomandon asaj që “të bëjë gjithçka” për ta siguruar mbështetjen e nevojshme.