Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka konfirmuar se ka pranuar ftesën e kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, për një takim lidhur me konstituimin e institucioneve të reja.
Abdixhiku bëri të ditur se do t’i përgjigjet pozitivisht kësaj ftese, ndërsa tha se koha e takimit do të përcaktohet nga ekipet e të dyja partive.
“Unë sot kam marrë një letër për takim me kryetarin e LVV, Albin Kurtin, në formatin 1+1. Këtë herë do të takohemi 2 me 2. Do t’i përgjigjem kësaj ftese. Besoj kohën e takimit do ta aranzhojnë ekipet tona. Do ta bëj publike që ky është komunikimi i parë që kemi pasur deri më tani”, deklaroi Abdixhiku.
Ai theksoi se qëndrimet e LDK-së mbeten të pandryshuara, por shtoi se dialogu është i nevojshëm në funksion të zhbllokimit të situatës politike.
“Do të ishte çmenduri politike nëse Kosova sërish shkon në zgjedhje”, u shpreh kreu i LDK-së.



