Lajme

Tensione në protestën e 31-të në Tiranë, përplasje me policinë dhe disa të shoqëruar

Protesta e 31-të kundër qeverisë në Tiranë është shoqëruar me tensione, përplasje me policinë dhe incidente në disa pika të kryeqytetit.

Tubimi nisi paraditen para Kuvendit të Shqipërisë dhe vazhdoi deri në orët e vona të mbrëmjes para godinës së Kryeministrisë, ku protestuesit përsëritën kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit dhe qeverisë.

Njëri nga organizatorët, Arben Kola, u bëri thirrje qytetarëve të reagojnë ndaj asaj që ai e cilësoi si provokim nga autoritetet, ndërsa pak minuta më vonë pati tensione para Kryeministrisë, ku protestuesit larguan nga tubimi një grua që u prezantua si gazetare shqiptare në Greqi.

Gjatë paradites, protestuesit hodhën vezë dhe shishe uji në drejtim të automjeteve të deputetëve dhe ministrave, ndërsa tentuan të bllokonin rrugën para Parlamentit, duke sjellë ndërhyrjen e Policisë së Shtetit.

Në terren u angazhuan edhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, të cilat shoqëruan disa protestues, mes tyre edhe Dritan Goxhajn, anëtar i grupit koordinator të protestës. Pas lirimit të tyre, protestuesit vazhduan tubimin para Drejtorisë së Policisë së Tiranës.

Marshimi i protestuesve përfshiu Bashkinë e Tiranës, Kuvendin, selinë e Partisë Demokratike dhe përfundoi sërish para Kryeministrisë.