Protesta e aktivistëve dhe qytetarëve në Tiranë ka vazhduar edhe këtë të shtunë, duke hyrë në ditën e saj të 28-të, ndërsa kërkesa kryesore e protestuesve mbetet dorëheqja e kryeministrit dhe e qeverisë.
Grumbullimi i pjesëmarrësve ka nisur në orën 19:00 në Sheshin “Skënderbej”, ndërsa organizatorët kanë vendosur që protesta të zhvillohet në orët e mbrëmjes për shkak të temperaturave të larta.
Pas tubimit në shesh, protestuesit pritet të marshojnë drejt godinës së Kryeministrisë, ku do të shprehin kërkesat e tyre, e më pas do të vazhdojnë marshimin në rrugët e kryeqytetit.
Organizatorët kanë paralajmëruar se në protestën e kësaj të shtune pritet të marrin pjesë edhe shqiptarë nga diaspora, të cilët kërkojnë ndryshime në skenën politike.
Ndër kërkesat kryesore të protestuesve janë dorëheqja e kryeministrit dhe e qeverisë, si dhe formimi i një qeverie teknike tranzitore, jopartiake, me mandat 12-mujor.



