Lajme

Agim Veliu: Kërkesat për dorëheqjen e Abdixhikut janë legjitime

Ish-nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Agim Veliu, ka reaguar për zhvillimet e fundit brenda partisë, pas kërkesave të disa degëve për dorëheqjen e kryetarit Lumir Abdixhiku.

Përmes një reagimi publik, Veliu i ka cilësuar këto kërkesa si legjitime dhe të drejta, duke thënë se përgjegjësia për rezultatin zgjedhor duhet të merret nga udhëheqja e partisë.

Sipas tij, nën drejtimin e Abdixhikut, LDK-ja ka mbetur në vendin e tretë dhe nuk ka arritur të rikthehet si alternativë për qeverisje, pavarësisht premtimeve të dhëna.

Veliu ka kritikuar edhe reagimin e Abdixhikut ndaj degëve të Lipjanit, Pejës dhe Degës së Dytë në Prishtinë, të cilat kërkuan dorëheqjen e tij.

“Edhe më shqetësues ishte reagimi arrogant i Abdixhikut ndaj kryetarëve të Lipjanit, Pejës dhe një dege të kryeqytetit, të cilët kërkuan dorëheqjen e tij. Në vend se të reflektonte mbi kritikat, ai reagoi duke kërkuar dorëheqjen e dy kryetarëve të degëve që kanë fituar vazhdimisht zgjedhjet në komunat e tyre, ndërsa vetë refuzon të japë llogari për rezultatet e partisë në nivel qendror”, ka shkruar Veliu.

Ai shtoi se, sipas vlerësimit të tij, një lider politik duhet të japë llogari për rezultatet zgjedhore dhe jo të ndëshkojë kritikët brenda partisë.