Lajme

Specialja: Aktgjykimi për Thaçin dhe të tjerët pritet deri më 20 korrik

Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë bërë të ditur se aktgjykimi në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së pritet të shpallet deri më 20 korrik 2026, përveç nëse Trupi Gjykues vendos për një shtyrje tjetër që konsiderohet absolutisht e nevojshme.

Në një përgjigje zyrtare, Gjykata rikujtoi se më 5 maj 2026 ishte marrë vendimi për zgjatjen e afatit për shpalljen e aktgjykimit deri më 20 korrik.

Sipas Dhomave të Specializuara, nëse nevojitet kohë shtesë për përfundimin e vendimit, Trupi Gjykues do të nxjerrë një urdhër të ri dhe do t’i njoftojë palët në kohën e duhur.

Ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, ish-kryetari i Kuvendit Jakup Krasniqi dhe ish-deputeti Rexhep Selimi ndodhen në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020.

Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, të cilat sipas aktakuzës dyshohet se janë kryer gjatë periudhës mars 1998 – shtator 1999. Të katër të akuzuarit kanë mohuar akuzat dhe janë deklaruar të pafajshëm.

Procesi gjyqësor nisi në prill të vitit 2023 dhe konsiderohet një nga rastet më të rëndësishme që po zhvillohen në Dhomat e Specializuara të Kosovës.