Lajme

Hykmete Bajrami: LDK-ja duhet të mbajë zgjedhje të brendshme dhe të reflektojë për rezultatin

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka reaguar pas debatit të brendshëm në parti dhe kërkesave për përgjegjësi politike pas rezultatit të zgjedhjeve parlamentare.

Përmes një postimi publik, Bajrami ka theksuar se LDK-ja duhet të organizojë zgjedhje të brendshme dhe të reflektojë seriozisht për rezultatin e fundit zgjedhor.

“Zgjedhjet e brendshme janë zgjidhja, të sillemi me dinjitet, sepse pozitat nuk janë të përhershme”, ka shkruar ajo.

Bajrami rikujtoi se edhe në janar kishte kërkuar dorëheqjen e kryetarit të partisë dhe kishte dhënë dorëheqje të parevokueshme nga pozita e nënkryetares, duke argumentuar se përgjegjësia politike duhet të vlejë për të gjithë pa përjashtim.

Ajo përmendi edhe Kuvendin e fundit të LDK-së, ku sipas saj rreth 45 për qind e delegatëve ishin deklaruar në favor të dorëheqjes së kryetarit Lumir Abdixhiku.

“Ky ishte një tregues i qartë se partia kishte nevojë për reflektim të thellë dhe për ndryshime të domosdoshme. Por kryetari vendosi të vazhdojë, madje me kompetenca të zgjeruara nga po ai Kuvend”, ka deklaruar Bajrami.

Sipas saj, rezultati i zgjedhjeve të 7 qershorit, ku LDK-ja u rendit sërish e treta, dëshmon se problemet e identifikuara më herët nuk janë adresuar.

Në fund, Bajrami ka bërë thirrje për reflektim, përgjegjësi politike dhe hapjen e një kapitulli të ri për rikthimin e besimit të anëtarësisë dhe qytetarëve.

“LDK-ja është shumë më e madhe se secili prej nesh”, ka përfunduar ajo.