Lëvizja Vetëvendosje nuk është e përfshirë zyrtarisht në protestat që po mbahen në Tiranë, por disa aktivistë dhe mbështetës të saj po i përkrahin ato në mënyrë individuale.
Kështu ka deklaruar anëtari i Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes, Enver Dugolli, i cili ka konfirmuar se edhe vetë është në mesin e atyre që mbështesin protestat antiqeveritare në Shqipëri.
Sipas tij, Vetëvendosje si subjekt politik nuk ka asnjë rol në organizimin apo mbështetjen e protestave, por disa individë solidarizohen me kërkesat e qytetarëve që po protestojnë.
Dugolli i bëri thirrje kryeministrit shqiptar Edi Rama që të mos e përfshijë Vetëvendosjen në debatet rreth protestave dhe të fokusohet te shqetësimet e qytetarëve që po shprehin pakënaqësitë e tyre.
Deklarata vjen pasi Rama, në reagimet e tij të fundit, kritikoi pjesëmarrësit nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut në protesta, duke përmendur edhe disa mbështetës të Vetëvendosjes, por duke theksuar se nuk e konsideron kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, përgjegjës për veprimet e tyre.



