Organizata “Ta pastrojmë Kosovën” ka ngritur shqetësimin për gjendjen e rënduar mjedisore pranë digës së Liqenit të Badovcit, duke thënë se zona është shndërruar sërish në vendgrumbullim mbeturinash.
Përmes një reagimi publik, organizata kujtoi se më 22 mars, në Ditën Botërore të Ujit, në këtë hapësirë ishte organizuar një aksion i madh pastrimi me pjesëmarrjen e vullnetarëve, institucioneve dhe qytetarëve, ku ishin larguar sasi të konsiderueshme mbeturinash.
Megjithatë, sipas organizatës, gjendja aktuale tregon se problemi vazhdon dhe nuk mund të zgjidhet vetëm përmes aksioneve vullnetare. Ata kanë kërkuar nga institucionet përgjegjëse të ndërmarrin masa konkrete për parandalimin e ndotjes, rritjen e kontrollit dhe ndëshkimin e ndotësve.
“Ta pastrojmë Kosovën” ka paralajmëruar një aksion të ri pastrimi, por ka theksuar se përgjegjësia për mbrojtjen e kësaj zone të rëndësishme nuk mund t’u mbetet vetëm vullnetarëve.



