Lajme

Haziri sulmon qeverisjen e VV-së në Gjilan: Komuna po trajtohet si çiflig, Prokuroria duhet të veprojë

Nënkryetari i LDK-së dhe ish-kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, ka kritikuar ashpër qeverisjen aktuale komunale në Gjilan, të udhëhequr nga Alban Hyseni i Lëvizjes Vetëvendosje, duke e akuzuar për keqmenaxhim dhe bllokim të projekteve zhvillimore.

Përmes një postimi publik, Haziri tha se Komuna e Gjilanit po trajtohet si “çiflig”, ndërsa kërkoi nga Prokuroria e Shtetit të veprojë lidhur me, siç i quajti ai, shkeljet dhe dëmet e shkaktuara në qytet.

Ai kritikoi mosrealizimin e disa projekteve infrastrukturore, duke përmendur vazhdimin e autostradës, përfundimin e stadiumit, rrugët e Prishtinës, Kllokotit dhe Kumanovës, si dhe mungesën e investimeve në kolektorë dhe impiantin e trajtimit.

Haziri pretendoi gjithashtu se Parku i Gjilanit po dëmtohet, ndërsa theksoi se projektet e iniciuara gjatë mandatit të tij kishin siguruar 178 milionë euro financim nga institucionet financiare ndërkombëtare, por sipas tij, ato po mbeten të bllokuara për shkak të mungesës së vullnetit dhe kapaciteteve për zbatim.