Zëvendëssekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara për Operacionet Paqeruajtëse, Jean-Pierre Lacroix, do të qëndrojë për vizitë zyrtare në Kosovë më 22 dhe 23 qershor.
Gjatë vizitës, ai pritet të zhvillojë takime me zyrtarë të lartë të Kosovës, partnerë ndërkombëtarë, përfaqësues të shoqërisë civile dhe zyrtarë të Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK).
Sipas njoftimit të UNMIK-ut, në fokus të diskutimeve do të jenë çështjet që lidhen me paqeruajtjen, bashkëpunimin multilateral dhe mbështetjen e vazhdueshme për paqe dhe stabilitet në rajon. Lacroix do të vizitojë gjithashtu disa projekte të mbështetura nga Kombet e Bashkuara në Kosovë.
Pas përfundimit të vizitës në Kosovë, zyrtari i lartë i OKB-së do të vazhdojë turin rajonal me vizita në Serbi dhe Bosnje e Hercegovinë.



