Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka shmangur edhe një herë përgjigjet ndaj pyetjeve të gazetarëve lidhur me projektin e gazit amerikan dhe përfshirjen e Kosovës në iniciativat rajonale për gazin e lëngshëm natyror (LNG).
Kurti u pyet për këtë çështje gjatë një ngjarjeje të organizuar nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit kushtuar grave në biznes. Megjithatë, duke u larguar nga salla, ai u përgjigj shkurt se ishte me nxitim dhe duhej të merrte pjesë në një aktivitet tjetër.
Çështja e gazit amerikan ka qenë në qendër të debatit javët e fundit, pasi Shtetet e Bashkuara kanë përsëritur thirrjet që Kosova të përfshihet në projektet rajonale të gazit të lëngshëm natyror.
Nga ana tjetër, Qeveria në detyrë ka shprehur mbështetje për gazifikimin e linjitit dhe përfshirjen e Kosovës në projektin e terminalit të gazit të lëngshëm në Vlorë, duke e konsideruar atë si një alternativë strategjike për furnizimin energjetik të vendit.



