Policia e Kosovës ka sekuestruar rreth 18 kilogramë substancë që dyshohet të jetë marihuanë dhe ka arrestuar dy persona të dyshuar në Kaçanik.
Sipas policisë, rasti ka ndodhur të premten rreth orës 17:30, kur hetuesit policorë tentuan të ndalonin një veturë për kontroll. Drejtuesi i automjetit arriti fillimisht t’i shmangej ndalimit, por më vonë vetura u lokalizua dhe u ndalua nga njësitë policore.
Gjatë kontrollit të zonës ku dyshohej se kishte kaluar automjeti, hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë në Ferizaj gjetën tre thasë të hedhur në një lokacion me mbeturina, brenda të cilëve ndodhej substanca e dyshuar narkotike.
Policia dyshon se marihuana është hedhur nga personat që ndodheshin në veturën e cila tentoi t’i ikte kontrollit policor. Hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar.



