Eshtra të një personi janë gjetur gjatë gërmimeve në varrezat e qytetit të Vushtrrisë, ndërsa dyshohet se ato mund t’i përkasin një personi të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Sipas Policisë së Kosovës, rasti është evidentuar më 19 qershor, kur gjatë punimeve në varreza janë hasur mbetje mortore që lidhen me periudhën 1998-1999.
Mbetjet e eshtrave janë marrë nga njësitet e Institutit të Mjekësisë Ligjore (IML), të cilat do të kryejnë ekzaminimet dhe procedurat e nevojshme për identifikimin e tyre.
Autoritetet nuk kanë dhënë ende detaje shtesë, ndërsa pritet që rezultatet e analizave të ndihmojnë në zbardhjen e identitetit të personit.



