Sot në të gjithë Kosovën do të mbahet afati i parë i Testit të Maturës Shtetërore 2026, në të cilin do të marrin pjesë 19,514 nxënës në 152 qendra të testimit.
Sipas Ministrisë së Arsimit, procesi do të administrohet nga 1,360 administrues dhe 750 kryetarë e anëtarë të komisioneve, ndërsa testi do të nisë në orën 10:00 dhe do të përfundojë në orën 12:30.
Maturantët janë obliguar të paraqiten në qendrat e testimit më së largu deri në orën 09:00, për të përfunduar procedurat e identifikimit dhe sistemimit në sallat ku do të zhvillohet testi.
Testi përmban 100 pyetje, të ndara në katër lëndë: gjuhë amtare, gjuhë angleze, matematikë dhe një lëndë zgjedhore. Ministria ka rikujtuar se posedimi i telefonave mobilë dhe pajisjeve të tjera elektronike gjatë testimit është rreptësisht i ndaluar dhe shkelësit do të largohen menjëherë nga testi.



