Lajme

Qeveria në detyrë mban mbledhje elektronike, merr disa vendime për emërime dhe komisione

Qeveria në detyrë e Kosovës ka zhvilluar sot mbledhjen e saj të 24-t elektronike, në të cilën ka miratuar një sërë vendimesh që lidhen me emërime në pozita të larta drejtuese dhe funksionimin e disa komisioneve shtetërore.

Ndër vendimet e miratuara është emërimi i Komisionit të Pranimit për pozitën e Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, si dhe Komisionit të Pranimit për pozitën e Komisionerit për Gjuhët.

Po ashtu, ekzekutivi në detyrë ka miratuar emërimin e Komisionit të Pranimit për pozitën e Drejtorit Ekzekutiv në Agjencinë e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale.

Në mbledhje është miratuar edhe ndryshimi dhe plotësimi i vendimit për themelimin e Komisionit për Vlerësimin e Sistemeve të Informacionit dhe Komunikimit me Rëndësi Strategjike.

Qeveria ka vendosur gjithashtu të vazhdojë deri më 22 shtator 2026 mandatin e Komisionit për Verifikimin e Diplomave të lëshuara nga Universiteti i Mitrovicës së Veriut.