Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka konfirmuar se Qeveria e Kosovës po zhvillon diskutime me Shtetet e Bashkuara të Amerikës lidhur me çështjen e gazit natyror, por ka theksuar se vendimet do të merren duke u bazuar në interesin e vendit.
Gërvalla deklaroi se tema e gazit është vetëm një nga shumë çështjet që diskutohen me partnerët ndërkombëtarë, përfshirë SHBA-në dhe aleatët e tjerë strategjikë të Kosovës.
Ajo shtoi se gjatë pesë viteve të fundit, institucionet kanë treguar përgjegjësi në trajtimin e temave të rëndësishme të sigurisë dhe zhvillimit, duke marrë vendime që i shërbejnë interesave të qytetarëve dhe shtetit.
Deklarata e saj vjen në një kohë kur odat ekonomike dhe ekspertë të energjisë kanë bërë thirrje që Kosova të përfshihet në projektet rajonale të gazit natyror, duke e konsideruar këtë si një hap të rëndësishëm për sigurinë energjetike dhe zhvillimin ekonomik të vendit.



