Këshilli Europian do të vazhdojë edhe sot punimet në samitin dyditor që po mbahet në Bruksel, ku ndër temat e diskutimit do të jetë edhe Ballkani Perëndimor.
Presidenti i Këshillit Europian, António Costa, ka theksuar se procesi i zgjerimit të Bashkimit Europian ka hyrë në një fazë të re, duke përmendur samitin e fundit BE-Ballkani Perëndimor të mbajtur në Tivat të Malit të Zi. Sipas tij, ekziston një “hov i ripërtërirë” në procesin e integrimit të vendeve të rajonit.
Në fokus të samitit mbetet lufta në Ukrainë dhe mbështetja e Bashkimit Europian për Kievin. Costa deklaroi se strategjia e BE-së për mbështetjen e Ukrainës dhe rritjen e presionit ndaj Rusisë po jep rezultate, ndërsa udhëheqësit europianë synojnë të dërgojnë një mesazh të fortë uniteti.
Një ditë më parë, liderët e Bashkimit Europian ranë dakord të zgjasin sanksionet ndaj Rusisë edhe për 12 muaj, në kuadër të përgjigjes ndaj agresionit rus në Ukrainë.



