Lajme

101 deputetë të legjislaturës së kaluar rikthehen në Kuvend, vetëm 9 emra të rinj

Rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 7 qershorit tregojnë se Kuvendi i Kosovës do të ketë një përbërje pothuajse të njëjtë me legjislaturën e kaluar, pasi 101 deputetë kanë siguruar sërish mandat për të qenë pjesë e parlamentit.

Nga përbërja e kaluar, 48 deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje kanë fituar mandat të ri, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës ka rikthyer 19 deputetë. Lidhja Demokratike e Kosovës ka siguruar rikthimin e 15 deputetëve, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës gjashtë.

Vetëm nëntë deputetë do të jenë për herë të parë pjesë e Kuvendit të Kosovës. Pesë prej tyre vijnë nga Lëvizja Vetëvendosje, ndërsa katër nga Lista Serbe.

Nga radhët e Vetëvendosjes, për herë të parë mandat deputeti kanë fituar Osman Musliu, Arton Konushevci, Armend Baloku, Krenare Çerkini dhe Valon Peci.

Ndërkohë, dhjetë deputetë që kanë qenë pjesë e legjislaturave të mëhershme, por jo e asaj të fundit, do t’i rikthehen Kuvendit. Nga PDK-ja rikthehen Jakup Nura, Altin Krasniqi dhe Rrustem Mustafa. Në LDK rikthehen Vjosa Osmani-Sadriu, Arben Gashi dhe Paris Guri, ndërsa nga Aleanca rikthehen Ardian Gjini dhe Teuta Haxhiu. Nga komunitetet joshumicë rikthehen gjithashtu Fikrim Damka dhe Albert Kinolli.

Sipas rezultateve përfundimtare, Lëvizja Vetëvendosje ka siguruar 53 ulëse në Kuvend, PDK-ja 22, LDK-ja 18 dhe Aleanca 7 ulëse.

Nga ana tjetër, 31 deputetë të legjislaturës së kaluar nuk kanë arritur të sigurojnë mandat të ri. Vetëm nga Vetëvendosje jashtë Kuvendit kanë mbetur 17 deputetë, mes tyre Rozeta Hajdari, Mytaher Haskuka, Egzon Azemi dhe Avdullah Klinaku.

Megjithatë, në rast se Vetëvendosje formon e vetme Qeverinë, disa prej tyre mund të rikthehen në Kuvend pas lirimit të ulëseve nga deputetët që pritet të emërohen ministra.

Nga PDK-ja nuk kanë arritur të sigurojnë mandat Arbnore Saliuhu, Nait Hasani dhe Xhavit Haliti, ndërsa nga LDK-ja jashtë ka mbetur vetëm Adelina Thaçi-Meta. Në Aleancë, Bekë Berisha mbetet jashtë për momentin, por mund të rikthehet nëse Ardian Gjini dhe Daut Haradinaj heqin dorë nga mandatet e deputetit.

Sa i përket votave individuale, deputeti më i votuar në këto zgjedhje rezulton Albin Kurti me mbi 324 mijë vota. Pas tij renditen Glauk Konjufca me mbi 264 mijë vota dhe Albulena Haxhiu me rreth 165 mijë vota.

Në PDK, më i votuari është Bedri Hamza me mbi 126 mijë vota, ndërsa në LDK kryeson Vjosa Osmani me mbi 92 mijë vota. Në Aleancë, më i votuari është Ardian Gjini me mbi 44 mijë vota.

Përbërja e re e Kuvendit pritet të nisë procedurat për konstituimin e institucioneve dhe formimin e qeverisë së re pas certifikimit të rezultateve përfundimtare nga KQZ-ja.