Lëvizja Vetëvendosje ka dalë sërish fituese e zgjedhjeve të 7 qershorit, por me më pak mandate krahasuar me zgjedhjet e dhjetorit 2025, duke e vendosur përballë një sfide të re politike: sigurimin e shumicës për zgjedhjen e presidentit dhe formimin e institucioneve të reja.
Sipas rezultateve preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, LVV ka siguruar 53 deputetë, ndërsa Bedri Hamza dhe PDK-ja kanë 22 mandate, Lumir Abdixhiku dhe LDK-ja 18 mandate, ndërsa AAK-ja 7 mandate.
Numerikisht, partia e Albin Kurti mund të sigurojë formimin e qeverisë me mbështetjen e deputetëve të komuniteteve joserbe dhe të deputetit serb Nenad Rashiq. Me 53 deputetët e saj dhe potencialisht 8 vota nga komunitetet pakicë, LVV arrin shumicën minimale prej 61 votash për formimin e ekzekutivit.
Megjithatë, sfida më e madhe mbetet zgjedhja e presidentit, proces që kërkon pjesëmarrjen dhe mbështetjen e opozitës. Për këtë arsye, një marrëveshje politike me një nga partitë më të mëdha opozitare shihet si e domosdoshme për stabilitet institucional.
Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka sinjalizuar gatishmëri për një marrëveshje gjithëpërfshirëse me Vetëvendosjen.
“Parimi i parë është: marrëveshja duhet me qenë gjithëpërfshirëse. Nuk mundet me qenë selektive, e ndarë”, ka deklaruar Haziri.
Nga ana tjetër, Kurti ka theksuar se prioritet mbetet konstituimi i institucioneve të reja, duke kërkuar që partitë e tjera të braktisin qasjen refuzuese ndaj bashkëpunimit.
Ndërkohë, ish-kryetari i Gjykata Kushtetuese e Kosovës, Enver Hasani, ka vlerësuar se menjëherë pas konstituimit të Kuvendit duhet të nisë procedura për zgjedhjen e presidentit.
“Menjëherë duhet të fillojë procedura për zgjedhjen e Presidentit të Republikës. Kuvendi nuk mund të ketë asgjë tjetër në agjendë pos propozimeve për Presidentin”, ka thënë Hasani.
Edhe partnerët ndërkombëtarë kanë bërë thirrje për formimin sa më të shpejtë të institucioneve. Sipas një përgjigjeje të Ambasadës së SHBA-së për Gazetën Express, liderët politikë duhet të bashkëpunojnë në përputhje me Kushtetutën dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese.
“Qytetarët e Kosovës presin nga udhëheqësit e tyre që të përmbushin zotimin për të vepruar në interesin më të mirë të vendit. Ky ngërç i vazhdueshëm politik po i kushton Kosovës mundësi të humbura”, ka deklaruar ambasada.



