Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) ka nisur zbatimi i vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për rinumërimin e fletëvotimeve nga 185 vendvotime të rregullta në të gjitha komunat e Kosovës.
Sipas zëdhënësit të KQZ-së, Valmir Elezi, vendimi përfshin 185 vendvotime, që përbëjnë 7.41 për qind të gjithsej 2,498 vendvotimeve ku është zhvilluar votimi në zgjedhjet e 7 qershorit 2026.
Elezi bëri të ditur se rinumërimi po zhvillohet në bazë të një vendimi të KQZ-së dhe në përputhje me Rregulloren Zgjedhore për funksionimin e Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve.
“Pas pranimit të materialeve zgjedhore nga vendvotimet e rregullta në QNR, KQZ vlerëson situatën dhe sipas nevojës mund të vendosë për rinumërim”, ka deklaruar ai.
Sipas KQZ-së, numri i vendvotimeve që do t’i nënshtrohen rinumërimit sipas komunave është:
- Prishtinë – 18 vendvotime
- Prizren – 16
- Gjakovë – 10
- Ferizaj – 10
- Gjilan – 9
- Pejë – 9
- Mitrovicë e Jugut – 7
- Podujevë – 7
- Vushtrri – 6
- Suharekë – 6
- Drenas – 5
- Klinë – 5
- Fushë Kosovë – 5
- Rahovec – 5
- Skenderaj – 5
- Viti – 5
- Malishevë – 5
Ndërsa komunat e tjera kanë nga një deri në katër vendvotime për rinumërim.
Sipas Elezit, kjo masë kontrolli është vendosur për të siguruar saktësinë e procesit zgjedhor dhe për të adresuar problemet e evidentuara gjatë numërimit të votave për kandidatët për deputetë në zgjedhjet e mëparshme.
KQZ ka theksuar se rinumërimi nuk nënkupton domosdoshmërisht parregullsi, por është një mekanizëm shtesë verifikimi për garantimin e integritetit dhe besueshmërisë së rezultateve zgjedhore.



