Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës ka vlerësuar se shpërndarja përfundimtare e mandateve në Kuvendin e Kosovës me raportin 53-22-18-7 është tashmë pothuajse e konsoliduar.
Sipas Cakollit, votat që kanë mbetur pa u numëruar nuk pritet të sjellin ndryshime të rëndësishme në përbërjen aktuale të mandateve.
Ai ka theksuar se as kutitë e mbetura të votave me postë dhe as 11,895 votat me kusht, së bashku me votat e personave me nevoja të veçanta që pritet të numërohen nesër, nuk pritet të ndikojnë në ndarjen aktuale të ulëseve.
“Ndarja përfundimtare e mandateve me raportin 53-22-18-7 tashmë është pothuajse e vendosur. Votat e mbetura nuk pritet të sjellin ndryshime të rëndësishme, përveç nëse shfaqen devijime të pazakonta nga trendet e deritanishme të votimit”, ka shkruar Cakolli.
Sipas tij, përvoja nga proceset e kaluara zgjedhore tregon se votat me kusht zakonisht pasqyrojnë trendin e votimit në vendvotimet e rregullta.
“Historikisht, votat me kusht kanë ndjekur më shumë trendin e vendvotimeve të rregullta, me dallime relativisht të vogla. Prandaj, përveç nëse rezultati i këtyre votave i afrohet dukshëm trendit të votave me postë, LVV nuk pritet të arrijë në 54 mandate”, ka shtuar ai.
Bazuar në projeksionin e Cakollit, Lëvizja Vetëvendosje do të përmbyllte procesin me 53 mandate, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës me 22 mandate, Lidhja Demokratike e Kosovës me 18 mandate dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 7 mandate.



