Kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, i është kundërpërgjigjur zyrtares së Lëvizja Vetëvendosje, Dejona Mihali, pasi ajo e përmendi në një postim lidhur me kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama.
Përmes një reagimi publik, Lushtaku ngriti një sërë pyetjesh ndaj Mihalit, duke vënë në dyshim rolin dhe ndikimin e saj në Vetëvendosje.
“Meqë së fundi më ke përmendur shpesh, ta dish që grupi i vetëm kriminal për të cilin duhet të japni shumë përgjigje jeni ju”, ka shkruar Lushtaku.
Ai pyeti se si është e mundur që, sipas tij, Vetëvendosje dhe pushteti i saj në Kosovë të drejtohen nga një person që nuk është nga Kosova, duke kërkuar sqarime për burimin e ndikimit dhe financimit të saj.
“Kush je ti që kontrollon çdo gjë në Vetëvendosje? Si është e mundur që Vetëvendosje dhe i gjithë pushteti i saj në Kosovë të drejtohet nga një greke e dyshimtë? Prej nga vjen dhe kush të qëndron prapa? Kush të financon ty? Çfarë misioni ke në Kosovë? Për kë punon ti?”, ka shkruar ai.
Në fund të reagimit, Lushtaku shtroi edhe pyetjen nëse Mihali është sjellë në Kosovë nga shërbime të huaja.
“A të ka sjellur në Kosovë shërbimi grek, serb apo rus?”, përfundon reagimi i tij.
Deklaratat e Lushtakut vijnë në vazhdën e përplasjeve publike mes zyrtarëve të opozitës dhe përfaqësuesve të Vetëvendosjes pas zgjedhjeve parlamentare dhe debateve politike të ditëve të fundit.



