Lajme

Shpërthim me granatë dore në Prizren, digjet një veturë dhe dëmtohet një shtëpi

Një shpërthim i fuqishëm ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të së hënës në rrugën “Brigada 128” në Prizren, duke shkaktuar dëme materiale, por pa të lënduar.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, ka bërë të ditur se Policia është njoftuar për rastin më 16 qershor 2026, rreth orës 03:30.

“Njësitet policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe kanë kontaktuar me ankuesit dhe dëshmitarët, të cilët kanë deklaruar se derisa ishin në gjumë janë zgjuar nga zhurma e dy shpërthimeve”, tha Bytyqi.

Sipas Policisë, si pasojë e shpërthimit është përfshirë nga zjarri një veturë në pronësi të njërit prej viktimave, ndërsa është dëmtuar edhe fasada e një shtëpie tjetër.

Nga ekzaminimi fillestar i vendit të ngjarjes, autoritetet dyshojnë se shpërthimi është shkaktuar nga një granatë dore.

“Përveç dëmeve materiale, nuk raportohet për persona të lënduar. Sipas ankuesve, vlera e përgjithshme e dëmit material është e konsiderueshme, ndërsa motivet e rastit ende nuk dihen”, ka deklaruar Bytyqi.

Në vendin e ngjarjes kanë intervenuar patrullat policore, hetuesit kujdestarë, Njësia për Trajtimin e Mjeteve Eksplozive e Policisë së Kosovës, si dhe zyrtarë të tjerë policorë.

Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, me urdhër të të cilit është iniciuar rasti si “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.

Policia ka bërë të ditur se hetimet për zbardhjen e plotë të rastit janë në vazhdim.