Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka publikuar përditësimin më të fundit të rezultateve nga procesi i numërimit të votave me postë për zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit.
Sipas të dhënave të publikuara në orën 16:50, janë numëruar 78.03 për qind e votave me postë, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të mbetet forca e parë politike me 364,149 vota apo 46.50 për qind, duke ruajtur aktualisht 52 ulëse në Kuvendin e Kosovës.
Partia Demokratike e Kosovës renditet e dyta me 154,341 vota apo 19.71 për qind, që përkthehen në 22 mandate.
Në vendin e tretë është Lidhja Demokratike e Kosovës me 132,260 vota apo 16.89 për qind, duke mbajtur 19 ulëse në Kuvend.
Ndërkaq, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka siguruar deri tani 53,280 vota apo 6.80 për qind, duke mbetur me 7 mandate parlamentare.
Sa i përket vetëm votave me postë të numëruara deri tani, Vetëvendosje prin bindshëm me 45,714 vota apo 72.37 për qind. Pas saj renditet LDK-ja me 7,990 vota (12.65%), PDK-ja me 5,139 vota (8.14%), ndërsa AAK-ja ka marrë 2,805 vota (4.44%).
Procesi zgjedhor ende nuk ka përfunduar, pasi kanë mbetur pa u numëruar votat me kusht dhe votat e personave me nevoja të veçanta, të cilat mund të ndikojnë në rezultatin përfundimtar dhe në shpërndarjen e mandateve.





