Lajme

Rama për protestat ndaj projektit të Kushner: Nëse po shkatërronim natyrën, do të isha i pari kundër

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka komentuar protestat kundër projektit turistik të propozuar nga Jared Kushner në zonën e mbrojtur të Pishë Poro-Nartës, duke deklaruar se nuk do të mbështeste asnjë investim që dëmton mjedisin.

Në një intervistë për revistën ndërkombëtare Vanity Fair, Rama tha se do të ishte i pari që do të kundërshtonte projektin nëse do të ishte e vërtetë se po i hapej rruga shkatërrimit të zonave natyrore.

“Nëse do të ishte e vërtetë që po e shesim tokën tonë te oligarkë të gatshëm ta shkatërrojnë me përbindësha ekologjikë, unë do të isha i pari që do të ndihesha i neveritur”, ka deklaruar Rama.

I pyetur nëse e mendon dorëheqjen, kreu i qeverisë shqiptare tha se do të vazhdojë të qëndrojë në politikë për sa kohë ka motivim për të punuar.

“Për sa kohë do ta ndiej zjarrin e pasionit, do të qëndroj. Nëse Shqipëria pranohet vërtet në Bashkimin Evropian, mbledhja e parë si shtet anëtar do të ishte rasti më i bukur për të dhënë dorëheqjen”, u shpreh ai.

Rama mbështeti projektin e propozuar nga Kushner, dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump, duke theksuar se ende nuk ekziston një projekt final.

“Ende nuk ka asnjë projekt konkret, por një ide, një ëndërr mbi të cilën po punojnë disa nga arkitektët dhe inxhinierët mjedisorë më të mirë në botë”, tha ai.

Që nga 23 maji, mijëra qytetarë kanë protestuar në Tiranë kundër planeve për ndërtimin e resorteve luksoze në zonat e mbrojtura bregdetare, duke shprehur shqetësime për ndikimin që mund të kenë në mjedis dhe biodiversitet.