Lajme

KQZ: Janë numëruar 131 nga 223 kuti të votave me postë

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve po vazhdon procesi i numërimit të fletëvotimeve të ardhura nga votimi jashtë Kosovës, përkatësisht përmes postës, për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se deri të martën në orën 09:00 janë numëruar 131 nga gjithsej 223 kuti votimi, që përbëjnë 58.74 për qind të procesit.

Sipas Elezit, në këto kuti janë vendosur zarfet me fletëvotime pasi ato janë aprovuar nga shërbimi votues i KQZ-së.

“Zarfet që supozohet se përmbajnë fletëvotime, pas procesit të vlerësimit janë sistemuar në 223 kuti votimi sipas komunave prej nga vijnë votuesit e regjistruar”, ka bërë të ditur ai.

Votimi përmes postës është zhvilluar nga 21 maji deri më 6 qershor 2026, ndërsa rreth 105 mijë shtetas të Kosovës ishin regjistruar për këtë mënyrë votimi.

KQZ ka njoftuar se ka përfunduar procesin e vlerësimit të 85,790 pakove të supozuara me fletëvotime. Nga to, 82,809 janë aprovuar, ndërsa 2,981 janë refuzuar.

Sipas KQZ-së, këto pako janë tërhequr nga kutitë postare të institucionit në 22 shtete të ndryshme, si dhe nga kutia postare e KQZ-së në Kosovë.