Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka sqaruar se procesi i publikimit të rezultateve zgjedhore është dinamik dhe se ndryshimet në numrin e mandateve gjatë numërimit janë pjesë normale e procesit.
Sipas Elezit, rezultatet përditësohen në kohë reale me numërimin e çdo kutie votimi, ndërsa diferencat e vogla mes subjekteve politike për mandatet e fundit mund të ndikojnë drejtpërdrejt në renditjen e koeficientëve dhe ndarjen e mandateve.
“Mund të ndodh që në një moment të caktuar të procesimit të rezultateve, subjekti të arrijë koeficientin e nevojshëm dhe mandati shfaqet në rezultatet e publikuara. Mirëpo, me përfshirjen e rezultateve nga kuti të tjera votimi, raporti i koeficientëve mund të ndryshojë dhe përparësia e mëparshme të humbasë, duke bërë që mandati të kalojë te një subjekt tjetër politik”, ka deklaruar Elezi.
Ai theksoi se kjo është një rrjedhë normale e procesit zgjedhor, pasi çdo kuti e numëruar mund të ndikojë në rezultatin përfundimtar dhe në shpërndarjen e mandateve.
Sipas rezultateve të deritanishme, Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të prijë me 45.48 për qind të votave, e ndjekur nga Partia Demokratike e Kosovës me 20.11 për qind dhe Lidhja Demokratike e Kosovës me 17.14 për qind. Ndërkaq, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka marrë pak më pak se 7 për qind të votave.
Lidhur me lëvizjet e mandateve gjatë numërimit, Elezi ka bërë të ditur se ato mund të ndryshojnë deri në përfundimin e plotë të procesit dhe certifikimin e rezultateve përfundimtare. /Telegrafi



