Lajme

Një muaj paraburgim për pesë të dyshuarit për krime lufte kundër popullsisë civile

Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj pesë personave të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”.

Sipas njoftimit të gjykatës, masa e paraburgimit është caktuar ndaj të pandehurve me inicialet N.P., S.J., B.P., S.M. dhe S.S., pas kërkesës së paraqitur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës.

Të dyshuarit po hetohen nën dyshimin e bazuar se, në bashkëkryerje, kanë kryer veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”.

Sipas Gjykatës, masa e paraburgimit është vlerësuar si e domosdoshme për të siguruar praninë e të pandehurve gjatë procedurës penale dhe për të parandaluar pengimin e hetimeve.

“Gjykata vlerësoi se caktimi i masës së paraburgimit në këtë çështje penale është masë adekuate, pasi ekziston rrezik real që nëse të pandehurit lihen në liri, mund të arratisen me qëllim të fshehjes dhe ikjes nga përgjegjësia penale. Po ashtu, duke marrë parasysh se të gjithë të pandehurit janë edhe shtetas të Serbisë, ekziston rreziku real që të arratisen lehtë dhe të jenë të paarritshëm për organet e drejtësisë”, thuhet në njoftimin e gjykatës.

Gjykata theksoi se në rast të lirimit të tyre, do të mund të pamundësohej sigurimi i prezencës së të pandehurve dhe do të pengohej zhvillimi normal i procedurës penale.