Lajme

KQZ: Janë numëruar 102 nga 223 kuti të votave me postë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve po vazhdon procesi i numërimit të fletëvotimeve të ardhura përmes postës nga zgjedhjet e 7 qershorit.

Sipas përditësimit të fundit, deri të hënën në orën 16:00 janë numëruar 102 nga gjithsej 223 kuti votimi që përmbajnë fletëvotimet e aprovuara nga shërbimi votues i KQZ-së.

“Deri më tani janë numëruar 102 nga 223 kuti votimi, në të cilat janë vendosur zarfet me fletëvotime pas aprovimit të tyre nga shërbimi votues i KQZ-së. Sipas procedurave, zarfet që supozohet se përmbajnë fletëvotime, pas procesit të vlerësimit janë sistemuar në 223 kuti votimi sipas komunave prej nga vijnë votuesit e regjistruar”, thuhet në njoftimin e KQZ-së.

Votimi përmes postës është zhvilluar nga 21 maji deri më 6 qershor 2026, ndërsa rreth 105 mijë shtetas të Kosovës ishin regjistruar për këtë formë votimi.

KQZ ka bërë të ditur se një ditë më parë ka përfunduar procesi i vlerësimit të 85,790 pakove të supozuara me fletëvotime. Prej tyre, 82,809 janë aprovuar, ndërsa 2,981 janë refuzuar.

Sipas KQZ-së, pakot me fletëvotime janë tërhequr nga kutitë postare të institucionit në 22 shtete të ndryshme, si dhe nga kutia postare e KQZ-së në Kosovë.